Brenda Shtatorit gati rruga Dukaj-Sinanaj


Brenda Shtatorit gati rruga Dukaj-Sinanaj

15:52 22/07/2021

Rama: Fuqizon ofertën turistike të Jugut

Brenda muajit Shtator rruga Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën do të jetë e aksesueshme për të gjithë banorët e dy zonave. Për të parë nga afër ecurinë e punimeve në terren ishte Kryeministri Rama dhe Ministria Balluku. Puna në këtë aks rrugor ka nisur në Dhjetor të vitit të kaluar dhe 75% e të gjithë vëllimit ka përfunduar.

“Është një aks i rëndësishëm përsa i përket lidhjes së Bashkisë Tepelenën me Bashkinë e Vlorës Kemi një ecuri shumë të mirë.”

Përmes këtij aksi do të lehtësohet jo vetëm lëvizja, por edhe dalja më lehtë e më shpejt e prodhimeve të zonës dhe lidhja e saj me ekonominë turistike të bregut.

“Kjo zonë nga një zonë prodhuese të ushqimeve më të shijshme të Malësisë së jugut, që braktisej e që vetëm mbijetonte për atë pjesë që vazhdonte të jetonte këtu, do kthehet tani në një pikë furnizimi për gjithë turizmin e bregdetit poshtë”.

Kryeministri Rama inspektoi edhe punimet e segmentit Salari-Nivicë, që së bashku me segmentet Gusmar-Kuç, si dhe lotin 3 të rrugës së Lumit të Vjosës do të përfundojnë pranverën e ardhshme, e do të lidhin Tepelenën e Përmetin me bregun e Jonit.

Rama pa nga afër edhe ecurinë e punimeve në kalanë historike të Ali Pashës në Tepelenë, ku përmes restaurimit synon ta kthejë atë në një atraksion turistik dhe burim fitimi për ekonominë kombëtare.

Kryeministri  u ndal edhe në Gjirokastër ku pa nga afër kantierin për transformimin e sheshit qendror të qytetit, sheshin Çerçizi. Projekti parashikon një hapësirë këmbësore me parking nëntokësor, për t’i dhënë një cilësi të re zonës historike.

Tv Klan






Të ngjashme