Tregtarët paralajmërojnë rritje të çmimit të naftës

Brenda datës 20 Shkurt, Parlamenti do të miratojë ligjin i cili do të detyrojë të gjithë kompanitë e karburanteve që të shesin brenda sasive të tyre vjetore, minimalisht 10% biokarburant.

Ligji i ri synon uljen e ndotjes së ambientit nga gazrat që shkaktohen nga djegia e naftës dhe benzinës, por edhe pse ka që prej vitit 2008 si nisëm, vetë tregtarët e kësaj lënde kërkuan shtyrje të hyrjes në fuqi për një periudhë minimalisht 3-vjeçare.

Tregtarët thanë se sot çmimi i karburanteve bio në bursa është 3 deri në 4 herë më i lartë se ai i karburantit industrial, çka hyrja në fuqi e këtij ligji do të shtrenjtojë çmimin e naftës. Ata kërkuan që qeveria minimalisht të heqë akcizën për këtë kategori.

Një rritje me rreth 10% të çmimit të naftës e pranuan edhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por ata thanë se kosto do të rikuperohet te përfitimet në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve. Zv/ministri Bejtja tha se në momentin që nuk plotësohet direktiva, Shqipëria mund të marrë edhe gjoba për zbatimin e saj.

Shqipëria është një ndër të vetmet vende në Europë që nuk ka zbatuar ende direktivën për karburantet bio, të cilat prodhohen në toka bujqësore dhe përzierja e tyre me lëndën që sot tregtohet ul çlirimin e squfurit në ajër.

Tv Klan