Udhëheqësit iranianë u zotuan se do t’i japin fund pranisë së SHBA në rajon, duke i përshkruar sulmet raketore ndaj objektivave amerikane në Irak si “vetëmbrojtje”.

“Ne iu dhamë një shuplakë në fytyrë mbrëmë”, deklaroi udhëheqësi Suprem Ali Khamenei në një fjalim para kombit lidhur me sulmin e bërë në dy bazat ajrore amerikane në Irak.

Ndërkohë nga ana tjetër presidenti iranian Hassan Rouhani, dërgoi një tjetër kërcënim, duke thënë se Uashingtoni mund t’i ketë “prerë krahun” Soleimanit por si përgjigje Amerikës do t’i “presin këmbët”.

Edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif e quajti sulmin e raketave balistike të së martës mbrëma si “masë proporcionale për vetëmbrojtje”.

Zarif gjithashtu në një postim në Twitter tha se nuk po kërkojnë përshkallëzim të situatës apo luftë, por do të mbrohen nga çdo sulm.

Ai tha se vlerësimi i Uashingtonit për hakmarrje, nuk duhet të bazohet në “iluzione”. /tvklan.al