Një breshëri plumbash u derdhën në orët e para të kësaj të marte drejt një depo farmaceutike në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”.

Shenjat e sulmit që fatmirësisht pati vetëm dëme materiale ishin të dukshme në fasadën e ndërtesës.

Ngjarja që dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit, por u raportua në polici në orën 8:10 minuta pasi punonjësit e parë konstatuan shenjat dhe gëzhojat.

Policia ende nuk ka identifikuar autorët e ngjarjes, por ka ringritur skemën se si ka ndodhur ajo.

Nga veprimet hetimore, besohet se autorët lëviznin me makinë dhe kanë qëlluar të paktën 20 plumba në drejtim të biznesit.

Më pas ata dyshohet se janë larguar drejt Vorës. Grupi i hetimit nuk ka ende një pistë mbi shkaqet e kësaj ngjarje, por ka vijuar me veprimet për gjurmimin e mjetit të autorëve.

Tv Klan