Sulejman Kapllani, autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të Selami Brahimit është ekstraduar nga Gjermania. Ngjarja në fjalë ndodhi më datë 8 Shkurt të këtij viti, në lagjen “Salo Halili” të Shkodrës (Lexo më shumë).

68-vjeçari Kapllani, i cili është xhaxhai i gruas së të plagosurit, e qëlloi Brahimin me breshëri plumbash teksa ky i fundit po futej në makinën e tij. Nga ngjarja 60-vjeçari mbeti i lënduar në fytyrë, ndërsa të shtënat krijuan jo pak panik tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në atë moment në zonë. Pas plagosjes, Kapllani u largua drejt Gjermanisë, ku u arrestua vetëm dy ditë më pas (Lexo më shumë).

Plagosja e Selami Brahimit në Shkodër, foto nga vendngjarja
8 Shkurt 2024 Plagosja e Selami Brahimit në Shkodër, foto nga vendngjarja

“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, Gjermani, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar: Sulejman Kapllani 68 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 11.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Sulejman Kapllani akuzohet se më datë 08.02.2024, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, Selami Brahimin. Sulejman Kapllani është lokalizuar dhe kapur në Gjermani, si rezultat i operacionit të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, tha Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.

Brahimi dhe Kapllani prej rreth një viti kishin marrëdhënie të keqe me njëri-tjetrin dhe autori i dyshuar ndihej i ofenduar me familjen e mbesës së tij. Kjo situatë degradoi deri në përdorimin e kallashnikovit./tvklan.al