Breshëri plumbash në drejtim të automjetit në Durrës

3 persona kanë mbetur të plagosur pasditen e kësaj të premteje në Durrës, në një atentat me armë zjarri. Ngjarja ndodhi tek mbikalimi i Shkozetit, rreth orës 16:30.

Persona ende të paidentifikuar zyrtarisht hapën zjarr në drejtim të një automjeti Benz fuoristradë me targa AA 333 ZD, në të cilën udhëtonte prokurori Arjan Ndoj dhe dy persona të tjerë.

Në foto prokurori Arjan Ndoj

Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur prokurori 44-vjeçar, 48-vjeçari Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, person me precedentë penalë, si dhe 30-vjeçari Andi Maloku.

Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë. 30-vjeçari ishte në drejtim të automjetit.

Sa i përket dy të plagosurve të tjerë, policia thotë se ata janë jashtë rrezikut për jetën.

I plagosuri Landi Muharremi nuk është emër i panjohur për policinë. Në vitin 2016, ai u akuzua si një prej personave që dhunoi biznesmenin libanez Fadi Mitri, i cili pas ngjarjes la Shqipërinë.

Mitri u rrah barbarisht me shkop bejsbolli, në prani të familjes së tij. Dyshimet në atë kohë ishin pas ngjarjes fshihej një konflikt për shkak të investimit që po kryente Mitri në zonën e Gjirit të Lalzit.

Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes autoritetet policore u vunë në kërkim të autorëve, ndërsa për zbardhjen e këtij atentati është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Policia e Shtetit ftoi këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112.

Në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ashtu sikurse në Spitalin e Durrësit, ku ndodhen të plagosurit, ka një prezencë të shtuar të forcave të policisë.

Gjatë mbrëmjes policia gjeti automjetin që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit. Makina u gjet e braktisur pranë varrezave të Shkarfanës, tek kthesa e Ishmit. Burime policore bëjnë të ditur se brenda në makinë janë gjetur dy kallashnikovë.

Informacioni zyrtar i policisë së Durrësit

Ne aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.

Shtetasi A.M. është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.

Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112./tvklan.al