Kryenegociatori i BE, Michel Barnier, i informoi ambasadorët e 27 vendeve anëtare në Bruksel për rezultatin e negociatave, sipas njoftimit të zëdhënësit të presidencës gjermane. Ambasadorët pas kësaj miratuan një letër për Parlamentin Europian, ku bëjnë të ditur synimin e tyre për të lejuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes më 1 janar. Ky dokument i ndërmjetëm ofron kohë për “shqyrtim të rregullt dhe të plotë demokratik të draftit të marrëveshjes nga Parlamenti Europian”, është shprehur një diplomat europian. Sepse PE ka bërë të ditur, se nuk mjafton koha për një ratifikim të rregullt deri në fund të vitit.

Laburistët sinjalizojnë miratimin

Marrëveshja e negociuar nga Barnier dhe Komisioni Europian do të verifikohet tani nga kryeqytetet eurooiane. Takimi tjetër i ambasadorëve të BE është planifikuar të hënën, për të diskutuar reagimet e mundshme apo rezervat ndaj marrëveshjes. Më pas ambasadorët i hapin rrugë një procedure me shkrim që hap rrugën për nënshkrimin e saj.

Michel Barnier dhe Ursula von der Leyen

Edhe nga pala britanike ka filluar procesi i miratimit. Më 30 dhjetor në një seancë të posaçme do të mblidhet parlamenti britanik për këtë çështje. Partia opozitare laburiste ka bërë të ditur ndërkohë, se do ta miratojë marrëveshjen. Me këtë edhe disa kundërshtarë të marrëveshjes brenda kampit konservator qeveritar nuk do ta pengonin miratimin e saj.

Përfaqësues të ekonomisë e kanë përshëndetur marrëveshjen. Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë në Londër, AHK ka bërë fjalë për “një psherëtimë lehtësimi.” Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Industrisë, Joachim Lang theksoi se “marrëveshja është më mirë se mosarritja e një marrëveshjeje.” Në të njëjtën kohë ai theksoi, se ky pakt do të thotë më shumë burokraci dhe formalitete të panevojshme kufitare./DW