Marrëveshja e cila e bëri të mundshme fazën e parë të Brexit apo “Marrëveshjen e Tërheqjes”, ishte që kryeministri Johnson do ta mbajë Irlandën e Veriut në përputhje të ngushtë me shumë rregulla të BE-së, përfshirë mallrat.

Kjo do të shmangte çdo kontroll në kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës evropiane e po ashtu nënkuptonte që disa mallra të cilat rrjedhin midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut do t’i nënshtroheshin kontrolleve, në rast se rrezikonin të përfundonin në Irlandë apo kudo në tregun e BE-së.

Por qeveria e Johnson tani ka vendosur që do të donte të bënte disa ndryshime të njëanshme në këtë plan, duke e minuar kështu marrëveshjen dhe negociatat tashmë të ashpra për çdo marrëdhënie të ardhshme tregtare.

Pas deklaratës së kryeministrit Johnson lidhur me këto ndyshime, ka ardhur edhe reagimi i Ministrit të Gjermanisë për Evropën, Michael Roth.

Roth i ka shkruar një letër të hapur qeverisë britanike duke thënë se Bashkimi Evropian nuk mundet dhe nuk do të pranojë që Londra të verë në dyshim dhe të kërkojë ndryshime në marrëveshjen e “Brexit” të nënshkruar nëntë muaj më parë.

“Projekt-ligji britanik i tregut të brendshëm do të shkelte rëndë pjesët kryesore të Marrëveshjes së Tërheqjes“, tha Roth në letrën e botuar në Der Spiegel të Martën.

Ai shtoi se “Marrëveshja e Tërheqjes, e cila është mbi të gjitha një pakt ndërkombëtar, u negociua dhe nënshkrua vetëm nëntë muaj më parë dhe ju nuk mund ta vini në dyshim, BE nuk mund dhe nuk do ta pranojë këtë, ”

Ministri gjerman u shpreh se një marrëveshje e drejtë do të ishte e mundur nëse Britania dhe BE do të tregonin gatishmëri për kompromis, por në këtë rast bëri të ditur se BE ishte mjaft e përgatitur që të mos lejojë një “Brexit” ndryshe nga ajo çfarë është nënshkruar./tvklan.al