Afati përfundimtar i shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian mund të shtyhet deri më 22 Maj, një ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Ky është lëshimi që krerët e vendeve anëtare të unionit i bënë Kryeministres britanike Theresa May, në mbledhjen e Këshillit Europian në Bruksel.

Gjatë fjalimit të saj 104 minutësh para liderëve europianë, shefja e qeverisë së Londrës kërkoi fillimisht kohë deri më 30 Qershor për rinegocimin e marrëveshjes me Brukselin. Propozimi i saj nuk u pranua, pasi zgjatja e këtij afati mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Para nisjes së samitit në Bruksel, May tha se zgjatja e afatit i jepte mundësi deputetëve britanikëve të sheshonin mosmarrëveshjet, për mënyrën e daljes nga Bashkimi Europian, me ose pa marrëveshje. Megjithatë krerët e unionit ia kanë bërë të qartë Londrës se nuk do të ketë më lëshime në marrëveshjen që është hedhur poshtë nga Parlamenti Britanik.

Madje kreu i Komisionit Europian Jean Claude Juncker u tha gazetarëve se ishte i habitur me veten se si kishte treguar kaq durim me britanikët. Afati zyrtar i Brexit-it përfundon më 29 Mars.

Tv Klan