Pas një mbledhjeje kabineti maratonë, qeveria britanike i dha mbështetjen për Kryeministres Theresa May për të vijuar me projekt-marrëveshjen e dakordësuar mes Britanisë së Madhe dhe BE. E çliruar pas përballjes me skepticizmin e ministrave të saj, shefja e “Downing Street 10”, dha një deklaratë përpara mediave, duke thënë se vendimi nuk ishte i lehtë, por mbron interesat e britanikëve.

“Vendimi i përbashkët i kabinetit është se qeveria duhet të pranojë projekt-marrëveshjen e largimit. Ky është një hap i vendimtar që mund edhe të mos merret, por unë besoj fort se është në interesin kombëtar. Në të kundërt do të largohemi pa asnjë marrëveshje, ose nuk do të ketë fare Brexit”.

Por kjo fjali për një anulim të mundshëm të Brexit shkaktoi reagimin e opozitës. Laburistët akuzojnë Kryeministren se po hedh në erë referendumin për Brexit. Për eurodeputetin Nigel Farage, një prej zërave kryesorë pro Brexit, projekt-marrëveshja është më e keqja në histori.

May do të raportojë të enjten përpara parlamentit britanik, ku pritet të gjejë një atmosferë të ashpër. Sipas paktit të dakordësuar, mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës nuk do të ketë kontrolle kufitare. Do të ruhet i njëjti status si në Bashkimin Europian, të paktën deri në vitin 2020. Nëse parlamenti miraton paketën e May-t, marrëveshja pritet të nënshkruhet më 25 nëntor në Bruksel në një samit të jashtëzakonshëm.

Tv Klan