Theresa May ka këmbëngulur se ajo nuk do të detyrohet të bëjë kompromis mbi planin e saj të Brexit gjatë negociatave me BE.

Duke folur për

Sunday Telegraph

, kryeministrja thotë se ajo “nuk do të jetë e nxitur” për kompromise, të cilat nuk janë në favor të “interesit kombëtar”.

May gjithashtu paralajmëron se ajo nuk do t’u dorëzohet thirrjeve për një referendum të dytë mbi marrëveshjen e tërheqjes nga BE.

Ajo thotë se do të ishte një “tradhti e madhe e demokracisë dhe besimit të popullit”, shkruan BBC.

Marrëveshja Chequers do të bënte të mundur që Mbretëria e Bashkuar të pranonte një “rregullore të përgjithshme” me BE-në për tregtimin e mallrave, në mënyrë që të zhvillohet një tregti pa probleme në kufi.

Por kritikët thonë se kjo marrëveshje do ta lerë Mbretërinë e Bashkuar të lidhur me rregullat e BE-së dhe do ta pengojë Britaninë që të vendosë rregullat e saj në marrëveshjet e tregtisë për vitet që vijnë.

Votimi i Popullit, një grup ndërpartiak duke përfshirë disa deputetë, po bën thirrje për një votim publik mbi marrëveshjen përfundimtare të Brexit.

Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE më 29 mars 2019, por ende nuk kanë rënë dakord se si do të funksionojë lidhja e saj përfundimtare me bllokun. BE ka sugjeruar se Nëntori është afati i fundit për të arritur në përfundim të një marrëveshjeje./tvklan.al