Çfarëdo marrëveshjeje të arrijë Londra me Brukselin, është ekonomia britanike ajo që del më e dëmtuara nga shkëputja e Britanisë së Madhe me Bashkimin Europina. Mediat britanike kanë publikuar pjesë nga raporti konfidencial, që po hartojnë ekspertët e qeverisë në Londër, të cilët po përpiqen të bëjnë parashikime se çfarë do të ndodhë me vendin në përfundim të këtij procesi.
Niveli i rritjes ekonomike gjatë 15 viteve të ardhshme përllogaritet të jetë 8% më i ulët, nga sa do të ishte nëse Britania e Madhe do të vazhdonte të ishte anëtare e unionit – thuhet në raportin e siguruar nga portali Buzzfeed. Në skenarin më të mirë, sikur Britania të vijonte të ishte pjesë e tregut të përbashkët europian, niveli i ekonomisë do të ishte 2% më i ulët. Dhe nëse të dyja palët nënshkruanin një marrëveshje për tregtinë e lirë ritmi ekonomik sërish do të ishte 5% më i ulët. Akoma më negative do të ishin të dhënat nëse Britania do të detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje të re tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Pritet që negociatat mes Brukselit dhe Londrës të përmbyllen në fund të 2019-ës, me shkëputjen e plotë të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Tv Klan