Pas fitores së thellë të konservatorëve në zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe, Brexiti i rregulluar konsiderohet një çështje e mbyllur. Ekonomia gjermane ka shpresa, por edhe disa dyshime.

Ekonomia gjermane kërkon një marrëveshje të shpejtë të tregtisë së lirë me britanikët pas fitores së qartë të partisë konservatore, Tory të Boris Johnson në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Shpresat e ekonomisë gjermane qëndrojnë tek dhënia fund e pasigurisë pas dramës disa vjeçare të Brexit dhe dalja me marrëveshje e Britanisë së Madhe nga BE. “Tani BE dhe Britania e Madhe duhet të punojnë me intensitet për një marrëveshje të tregtisë së lirë”, tha kreu i “Shoqatës së Makinerive dhe Konstrukteve Teknike”, (VDMA), Thilo Brodtmann. “Nëse kjo nuk ka sukses, fillojnë sërish diskutimet për një Brexit të ashpër dhe pasiguritë që lidhen me të në fund të vitit 2020. Kjo duhet të mënjanohet patjetër.”

Edhe Shoqata e Industrisë Gjermane, BDI e përshëndeti rezultatin e qartë të zgjedhjeve në Britaninë e Madhe. “Mjegulla politike në Londër po shpërhapet”, tha kreu i BDI-së, Joachim Lang. Sigurisht që asnjë sipërmarrje në Britaninë e Madhe nuk e do Brexit. “Megjithatë sipërmarrjet tona marrin frymë lirisht, që më në fund ka një mandat për pranimin e marrëveshjes së daljes nga BE.” Sipas kreut të Industrisë Gjermane, Lang kërkohet një kurs i qartë i qeverisë gjermane, se si do të jetë marrëdhënia e ardhshme me BE. Nëse këto negociata nuk marrin fund shpejt, kërcënon një Brexit pa marrëveshje në një afat tjetër.

Joachim Lang BDI (Imago/allefarben-foto)
Joachim Lang

Pasiguri ka ende

Pritet që Britania e Madhe të dalë nga BE më 31 janar. Por ekonomistë të njohur paralajmërojnë, nga pasiguri të tjera pavarësisht rezultatit të qartë të zgjedhjeve. “Pritet që tani të kemi shpejt një ujdi për Brexit”, tha presidenti i Institutit të Ekonomisë, Ifo, Clemens Fuest. Nga ana ekonomike duket se mënjanohet një dalje e Britanisë së Madhe me kosto të pakalkulueshme. “Por është ende herët për të hequr sinjalin e alarmit”, tha Fuest. “Do të jetë e vështirë që të arrihet një marrëveshje e tregtisë së lirë brenda afatit të përkohshëm deri në fund të vitit 2020.”

Deutschland Berlin | Clemens Fuest, ifo Institut (picture-alliance/dpa/K. Nietfeld)
Clemens Fuest

Pak a shumë kështu është shprehur edhe presidentit i Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, IfW, Gabriel Felbermayr. “Një exit nga Brexit nuk është më i mundur”, tha ai. “Por nëse do të kemi një ‘deal’ të butë, të ashpër apo të zgjuar me BE kjo vazhdon të mbetet maksimalisht e pasigurtë.” Deri në fund të vitit 2020 do duhet të negociohet një marrëveshje e tregtisë së lirë mes BE e britanikëve. Por sipas Felbermayr do të kemi sërish shtyrje zgjatje afati dhe gjendje pezull. Ekonomistët parashikojnë që për shkak të pasigurive sipermarrjet britanike do të jenë të rezervuara në drejtim të investimeve. Po kjo vlen edhe për firmat gjermane, thotë Sebastian Dullen nga Instituti për Makroekonominë dhe Studimin e Koniunkturës, IMK. “Brexit edhe në muajt e ardhshëm do të ketë impakt negativ në rritjen ekonomike si në Britaninë e Madhe edhe në Gjermani, edhe pse në masë më të vogël.”/DW