Peshkatarët franceze bllokojnë portin britanik, dërgohen luftanije

Franca ishte një nga vendet europiane që doli jo plotësisht e kënaqur nga marrëveshja e Brexit-it. Këto pakënaqësi kanë krijuar tensionet e para.

Tensionet nisën pasi 60 peshkarexha franceze bllokuan qarkullimin e anijeve në portin e qytetit Shën Helier në ishullin e Xhersit, në shenjë proteste ndaj mosmarrëveshjeve për rregullat e reja të peshkimit të njoftuara nga pala britanike. Ishulli ndodhet 20 kilometra larg rajonit francez të Normandisë, por është territor britanik.

Tensionet u shtuan pas dërgimit të dy luftanijeve britanike që qëndruan rreth 1 kilometër larg peshkarexhave franceze. Edhe marina ushtarake franceze dërgoi dy luftanije, teksa peshkatarët po negociojnë me autoritetet portuale britanike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së re të Brexit-it, porti i Shën Helierit pezulloi lejet e reja të peshkimit për francezët duke shtuar dokumentet për marrjen e tyre. Peshkatarët francezë thonë se kriteret e shtuara nuk parashikohen në marrëveshjen e Brexit-it. Më parë, peshkatarët francezë dhe britanikë peshkonin në ujëra të përbashkëta me ditë të përcaktuara.

Tv Klan