Kur kanë mbetur vetëm dy ditë përpara votimit të marrëveshjes për Brexit në parlamentin e Londrës, qytetarët britanikë janë më të bindur se kurrë se opsioni më i mirë për ta është qëndrimi në BE. Kjo është zbuluar nga një sondazh i fundit. Gjithashtu britanikët shpresojnë që parlamenti të rrëzojë akordin mes Londrës dhe Brukselit.

Shumica e britanikëve tani mendojnë se vendi duhet të mbetet brenda Bashkimit Evropian, sipas një sondazhi të ri të publikuar disa ditë përpara votimit vendimtar mbi marrëveshjen e Brexit midis BE-së dhe Britanisë në parlament. Kështu të paktën raporton The Independent. Sondazhi zbulon se 52% e qytetarëve thonë se ata janë në favor të ‘qëndrimit në BE’, një mbështetje që, sipas Bmg Research, është rritur nga muaji në muaj që nga vera e kaluar deri në mbi 50 përqind në dhjetor kur u shfaq realiteti kompleks i Brexit.

Ndër të tjera, studimi gjithashtu zbuloi se pothuajse gjysma e njerëzve besojnë se marrëveshja e tërheqjes e arritur nga Theresa May përfaqëson një “marrëveshje të keqe” për Britaninë. Shumë qytetarë pretendojnë se deputetët duhet të refuzojnë marrëveshjen në votimin e së martës.

Mbretëria e Bashkuar mund të kalojë në një plan B nëse parlamenti hedh poshtë atë të propozuar nga May. Këtë e pohoi ministrja e Punës Amber Rudd për radio BBC. Kështu kjo është anëtarja e parë e ekzekutivit që publikisht nuk përjashton asnjë alternativë. Rudd vuri në dukje se ajo ende mbështet planin e May, por “çdo gjë mund të ndodhë”, veçanërisht nëse votimi i së martës në Westminster do të rrëzojë planin e kryeministres. I ashtëquajturi “Norvegjia plus” parashikon qëndrimin jo vetëm në unionin doganor por edhe në hapësirën ekonomike evropiane. “Një opsion “i besueshëm” edhe pse “jo i dëshirueshëm”, sqaroi Rudd. Megjithatë ajo u shpreh e pasigurtë rreth prakticitetit të këtij plani. Sidoqoftë, marrëveshja e arritur nga May me BE-në mbetet “më e mira e mundshme”, tha në fund ministrja.

/abcnews.al