Britani e Madhe-Greqi: Grindja për Partenonin në vendnumëro


Britani e Madhe-Greqi: Grindja për Partenonin në vendnumëro

13:20 31/12/2021

Kur kryeminstri grek vizitoi së fundi kolegun britanik në Londër, parashtroi kërkesën shekullore: Skulpturat prej mermeri të ekspuzuara në Muzeun Britanik, dikur pjesë e Partenonit grek, duhet të kthehen në atdhe.

Relievet e moçme, 2500 vjeçare, që prezantojnë skena nga mitologjia greke, janë quajtur edhe “Elgin Marbles”, „Mermeret e Elginit”, duke e marrë emrin nga Lord Elgin, ish-ambasadori britanik në Perandorinë Osmane. Ai bëri që pas vitit 1801 statujat e mermerit të merreshin nga Aksopolis dhe t‘i shiteshin me shumë fitim qeverisë britanike, së bashku me qindra objekte të tjera antike nga Athina

Skulpturat e Partenonit janë ngritur në piedestal në Angli

Skulpturat prej mermeri përbëhen nga pjesë të gdhendura, metope (figuracione të veçanta me pak figura) dhe me grup figurash. Ato krijojnë së bashku gati gjysmën e skulpturave që kanë mbetur nga Partenoni. Shumë prej objekteve të tij ndodhen në Muzeumin e Akropolit në Athinë. Shitja e tyre tek Muzeumi Britanik u ndalua momentin e fundit, në vitin 1816 duke nxjerrë një ligj, i cili edhe atë kohë ka qenë shumë kontrovers. Kështu për shembull poeti dhe shkrimtari britanik, Lord Byron, foli në atë kohë për “vjedhje”.

Edhe në Greqi prej kohësh thuhet se objektet janë vjedhur. Por Mbretëria e Bashkuar e sheh ndryshe këtë punë. Sipas Muzeumit Britanik objektet janë shitur në mënyrë legale, dhe duhet të qëndrojnë atje ku janë, në Londër.

Në një deklaratë të gjithanshme të publikuar në faqen e internetit të Muzeumit Britanik, drejtuesit shpjegojnë se Lord Elgini „ka vepruar me dijeni të plotë dhe me lejen e autoriteteve të atëhershme si të Athinës ashtu edhe të Londrës.”

Kryedebati mes debateve për kthimin e objekteve kulturore

“Ky rast është mbase shembulli i parë i një debati për kthimin e objekteve kulturore,” i thotë Deutsche Welle-s Alexander Herman, zëvendësdrejtor i Institutit britanik për artin dhe të drejtën, si dhe autor i librit të botuar sivjet (2021): “Restitution “The Return of Cultural Artefacts”.

“Që prej 200 vjetësh kjo temë ndodhet në agjendën kulturore të Britanisë së Madhe dhe natyrisht edhe të Greqisë,” thotë Herman.

Në kohën kur Lord Elgin organizoi largimin e skulpturave, Greqia ka qenë e pushtuar nga Turqia, por menjëherë pas marrjes së pavarësisë nga Perandoria Osmane, më 1832, Greqia ngriti zërin për kthimin e artefakteve të ndryshme, thotë Herman, i cili ka analizuar për librin e tij debatet e të dy pozicioneve për skulpturat e Partenonit.

Kërkesat për kthimin e veprave të artit janë shtuar në mbarë botën

Debati për kthimin e veprave të artit ka marrë dhenë vitet e fundit. Muzeume nga e gjithë bota, që nga SHBA deri në Gjermani, kanë kthyer objekte që janë blerë në rrethana të paqarta, nga qendrat kryesore të kolonializmit.

Para pak kohe Franca i ktheu 26 vepra arti Beninit, vepra që vinin nga ish-mbretëria e Dahomey-it.

Shumë të diskutueshme janë edhe bronxet nga Benini, që mund të shihen tani në Muzeumin e sapohapur Etnologjik të Forumit Humbold në Berlin, dhe që mendohet t’i kthehen në vitin 2022 Nigerisë.

Në nëntor të 2021, Qendra Gjermane për veprat e humbura të artit, mblodhi 40 ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar artin e vjedhur dhe kthimin e objekteve koloniale.

Kjo temë është kthyer në vëmendje të publikut, dhe bashkë me të edhe grindja e përhershme midis Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Boris Johnsoni nuk ndihet përgjegjës

Takimi midis dy kryeminstrave në nëntor nuk u zhvillua ashtu siç do të kishte shpresuar kryeministri grek. Boris Johnson pretendon, “të mos ketë të bëjë me këtë punë “, dhe tha, se i kupton “emocionet e forta të popullit grek”, por çështja është vetëm çështje e Muzeumit Britanik dhe jo e qeverisë britanike.

Në muajin tetor me këtë temë u morr një Komitet këshilltarësh i UNESCO-s, i cili këshilloi Muzeumin Britanik që të fillojë dialogun me Greqinë.

Duket se edhe shumë britanikë duan që statujat t’i kthehen Greqisë: Sipas një sondazhi të publikuar në nëntor nga YouGov-Umfrage, 56 përqind e britanikëve të pyetur janë shprehur pro kthimit të skulpturave Greqisë.

Edhe zëra të tjerë kanë folur nga Mbretëria e Bashkuar. Shkrimtari dhe aktivisti Stephen Fry, i cili ka shkruar një seri librash për mitologjinë greke, kërkon kthimin Greqisë të skulpturave dhe ka propozuar që në vend të origjinaleve, Muzeumi Britanik t‘i prezantojë veprat me teknologji tri-dimensionale.

A ka një rrugë të mesme?

Sipas mendimit të ekspertit për kthimin e veprave të artit, Herman, të dyja palët kanë humbur aktualisht me argumentimet e tyre, dhe duket se një rrugëdalje elegante nga situata nuk është e mundur.

Sa më shumë që këmbëngulin tek qëndrimet e tyre, aq më shumë vështirësohet situata. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të dëshmojë që i ka blerë veprat në mënyrë legale kurse Greqia, që ato janë vjedhur dhe duhen kthyer në atdhe. “Të dyja palët duhet të jenë në gjendje, të gjejnë një rrugë të mesme, për të gjetur zgjidhjen,” thotë Herman.

Nëse vjen puna deri aty, atëherë ky do të ishte një hap i rëndësishëm, mendon shkrimtari: “Ky do të ishte një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet greko- britanike, por edhe për Europën dhe botën, për të demostruar që edhe vetë kontroversat më kokëforta mund të gjejnë zgjidhje.”/DW












Të ngjashme