Britania e Madhe drejton gishtin nga Rusia për helmimin e Ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Në përfundim të konsultimeve me disa ministra të kabinetit të saj, kryeministrja britanike Theresa May, tha përpara parlamentit se pas këtij akti, me shumë gjasë qëndron Moska.

“Është e qartë tashmë se Z. Skripal dhe e bija u helmuan me gaz nervor të llojit ushtarak, i njohur me emrin “Novichok”, i zhvilluar nga Rusia. Bazuar në analizat e ekspertëve tanë, kemi dalë në përfundimin se Rusia e ka prodhuar më parë këtë lëndë dhe është e aftë ende. Qeveria doli në përfundimin se është shumë e mundur që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin ndaj Sergei dhe Julia Skripal.”

Ministri i Jashtëm britanik thirri më pas ambasadorin rus për të kërkuar shpjegime.

Por Kremlini i cilësoi akuzat e May një shfaqje cirku në mes të parlamentit.

Më herët, i pyetur nga BBC presidenti rus Vladimir Putin tha se pret përfundimin e hetimeve për të dhënë një qëndrim për atentatin ndaj ish-agjentit rus.

Sergei dhe Julia Skripal u sulmuan me gaz nervor pak ditë më parë në Salisbëri. Koloneli Skripal u dënua në vitin 2006 me 13 vite burg nga Moska për tradhti kombëtare, i akuzuar si agjent i dyfishtë.

Tv Klan