Banorët në të dy vendet, skeptike ndaj masave kundër përhapjes

Britania e Madhe dhe Rusia shkojnë përkundër tendencës në rënie të shifrave të pandemisë që po shfaqet aktualisht në gjithë globin. Këtë 24-orësh, në Britaninë e Madhe u shënua një rekord i ri infektimesh me mbi 49 mijë raste ditore, shifra më e lartë që prej korrikut kur u shënua kulmi i infektimeve nga Delta me mbi 54 mijë raste.

Edhe më problematike situata është në Rusi. Këtë të Martë u shënua një rekord i ri ditor viktimash për gjithë periudhën e pandemisë prej 1015 rastesh. Infektimet po ashtu janë në nivelet më të larta që nga nisja e përhapjes së koronavirusit dhe këtë 24 orësh pati më shumë se 33,700 raste.

Mediat shkruajnë se në të dy vendet ka skepticizëm në popullsi për zbatimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Në Britaninë e Madhe nuk aplikohet certifikata e gjelbër për hyrjen në ambientet publike, e po ashtu shumica e popullsisë nuk preferon të mbajë maska.

E njëjta tendencë edhe në Rusi, por dallimin mes dy vendeve e bën vaksinimi masiv i popullsisë, ku Britania e Madhe është ndër vende me nivelin më të lartë mbi 73%, ndërsa Rusia në 35%. Kjo ka ndikuar tek vdekshmëria e pandryshuar në Britaninë e Madhe pavarësisht niveleve të larta të infektimit, në dallim nga Rusia me vdekje në shifra rekord.

Tv Klan