Javid: Shumica e njerëzve nuk pëlqejnë të kufizohen në aktivitetet e përditshme

Qeveria britanike heq dorë nga kërkesa me detyrim e certifikatës së vaksinimit. Edhe pse zyrtarët e këtij vendi ishin promotorët kryesorë të dokumentit që synon të frenojë përhapjen e koronavirusit, duke identifikuar dhe ndaluar pjesëmarrjen në aktivitete publike të personave të paimunizuar ose të infektuar, ministri i Shëndetësisë Said Xhavid jep argumentet e tij pse tani nuk duhet aplikuar.

“Ne nuk duhet t’i bëjmë gjërat sa për të thënë… vetëm se po i bëjnë të tjerët. Për të qenë të ndershëm, nuk më duket se shumë njerëz e pëlqejnë këtë ide. Dua të them, që nuk më ka pëlqyer ideja që t’u thuhet njerëzve ‘nxirrni letrat, që të vazhdoni të kryeni aktivitetet tuaja të përditshme”.

Aplikimi i certifikatave duhej të niste deri në fund të shtatorit, por Xhavid tha se ky do të mbetet opsioni i fundit, teksa ekspertët po shohin mundësi të tjera për frenimin e përhapjes. Britania e Madhe pati rritje infektimesh me përhapjen e variantit Delta, por falë vaksinimit të 80% të të rriturve, nuk pati vdekshmëri të lartë.

Për të shmangur një tjetër bllokadë të plotë kombëtare në Gjermani, si masë frenuese të një vale të re në periudhën Vjeshtë – Dimër, instituti Lajbnic për studime mbi ekonominë rekomandon izolimin vetëm të të pavaksinuarve, si një mënyrë për të reduktuar me dhjetëra herë barrën financiare që do të krijonte një karantinë e plotë.

Tv Klan