Boris Johnson po jep gaz: Ai kërkon që Dhoma e Ulët e parlamentit të votojë marrëveshjen për Brexit të premten, por edhe një ligj të ri, që përjashton zgjatjen e periudhës tranzitore pas vitit 2020.

Parlamenti britanik voton të premten marrëveshjen për daljen nga Bashkimi Europian. Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon të veprohet me shpejtësi. Ai do të sjellë për këtë një ligj të posaçëm ratifikimi. Sipas Jacob Rees-Mogg bëri të ditur, se deri në 9 janar qeveria kërkon të ketë përfunduar plotësisht kuadrin ligjor për Brexit. Në të njëjtën kohë të premten do të kërkohet që të miratohet edhe një ligj, që përjashton zgjatjen e periudhës tranzitore të parashikuar deri në fund të vitit 2020.

Kryeministri Johnson e ka të sigurtë maxhorancën parlamentare. Partia konservatore arriti në zgjedhjet e 12 dhjetorit një fitore të thellë, që i siguroi 80 vende më shumë në parlamenat krahasuar me partitë e tjera. “Sot do ta bëjmë realitet premtimin që u dhamë njerëzve, ta kryejmë Brexitin që para krishtlindjeve”, bëri të ditur Johnson. “Pas vitesh shtyrjesh dhe zemërimi në parlament ne do të krijojmë siguri dhe  njerëzve që punojnë fort në këtë vend do t’u ofrojmë një bazë të fortë, mbi të cilën ata të planifikojnë të ardhmen e tyre”.

Boris Johnson kërkon ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE më 31 janar. Në fazën tranzitore në vitin 2020 gati çdo gjë mbetet si më parë. Në këtë kohë të dyja palët duhet të negociojnë një marrëveshje të tregtisë së lirë. Por ekspertët gjykojnë, se koha për këtë marrëveshje është shumë e shkurtër. Të enjten parlamenti i ri filloi nga puna me një ceremoni me Mbretëreshën Elisabeth II. Fitoren e tij Johnson ia dedikon  votave që i erdhën nga shtresat punëtore, dikur elektorat laburist, në pjesën e mesme dhe veriore të Britanisë së Madhe. Por stuhia Johnsonit tani i vjen nga veriu. Kryetarja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon i kërkoi kryeministrit me shkrim të miratojë një referendum të dytë pavarësie. Ai është i detyruar për këtë, tha Sturgeon. Zhvillimin e një refrendumi të dytë në Skoci e vendos qeveria qendrore në Londër./DW