Britania e Madhe raporton 30 raste mpiksjeje gjaku



Britania e Madhe raporton 30 raste mpiksjeje gjaku

08:45 03/04/2021

Në Britaninë e Madhe janë injektuar 18 milionë vaksina AstraZeneca – autoritetet raportojnë 30 raste të mpiksjes së gjakut. Në Gjermani, të rinjve u rekomandohet të përdorin vaksinë tjetër për dozën e dytë.

Në Britaninë e Madhe, nga më shumë se 18 milionë vaksinime me AstraZeneca, janë raportuar gjithsej rreth 30 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut. Kjo u njoftua nga Agjencia Britanike e Medikamenteve MHRA në një informacion aktual. “Rreziku për të pasur këtë lloj të veçantë të mpiksjes së gjakut është shumë i vogël”, thotë MHRA. Deri tani – nga 24 Marsi – janë njoftuar 22 raste të trombozave të venës cerebrale që kanë ndodhur gjithashtu në Gjermani dhe tetë lloje të tjera trombozash.

Në një dokument tjetër të agjencisë renditen gjithsej 24 raste të trombozës së venës cerebrale. Ky ndryshim është për shkak të faktit se dokumenti përfshin edhe trombozat, që nuk janë shkaktuar nga një numër i pamjaftueshëm i trombociteve të gjakut. “Në bazë të këtij studimi në vazhdim, përfitimet e vaksinimeve kundër Covid-19 janë akoma më të mëdha se rreziqet”, shkruajnë ekspertët e MHRA.

Coronavirus Symbolbild Impfstoff

STIKO rekomandon ndryshime të reja të vaksinimit

Në Gjermani, ministrat e Shëndetësisë të landeve dhe të federatës vendosën të martën që vaksina AstraZeneca t’u injektohet vetëm personave të moshës 60 vjeç e lart. Më të rinjve ajo mund t’u injektohet, kur ata e marrin vetë parasysh rrezikun dhe pas bisedës sqaruese me mjekun.

Dje, Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit i Gjermanisë (STIKO) rekomandoi një vaksinë tjetër për dozën e dytë te të rinjtë, pas një vaksinimi të parë me AstraZeneca. Sipas kësaj, personave nën moshën 60 vjeç duhet t’u bëhet një vaksinë mARN në vend të dozës së dytë AstraZenecas pas dymbëdhjetë javësh. Vaksina mARN janë vaksinat e BioNTech/Pfizer-it ose Modernas./DW







Të ngjashme