Në SHBA, Qershori mund të shënojë 3 mijë vdekje në ditë

Numri i vdekjeve në mbarë botën si pasojë e Covid-19 ka kaluar mbi 250,000, sipas Universitetit Johns Hopkins. Britania aktualisht është vatra më e nxehtë e koronavirusit. Më shumë se 30,000 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, numri më i lartë i raportuar në Evropë dhe i dyti në botë pas SHBA.

29,648 vdekje janë raportuar që nga 24 Prilli në Angli dhe Uells me Covid-19. Përfshirë vdekjet për Skocinë dhe Irlandën Veriore, numri i viktimave shkon në mbi 30,000. Rreth një e treta e të gjitha vdekjeve të regjistruara në vend gjatë kësaj periudhe janë nga shtëpitë e kujdesit për të moshuarit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar në 24 orët e fundit numrin më të ulët të viktimave gjatë këtij muaji me 1,015 vdekje. Numri përfshin ata që kanë vdekur me virusin dhe jo domosdoshmërisht për shkak të tij.

Megjithatë piku ende nuk ka ardhur dhe në Qershor mendohet se do të humbin jetën rreth 3 mijë persona në ditë, sipas një raporti të brendshëm të administratës Trump të publikuar nga New York Times.

Të dhënat parashikojnë gjithashtu që numri i të prekurve çdo ditë do të jetë rreth 200,000 deri në fund të muajit. Parashikimet pesimiste vijnë në kohën kur shume shtete amerikane kanë nisur lehtësimin e masave bllokuese, teksa vendi ka numrin më të lartë të viktimave me afro 69,000.

Tv Klan