Teksas 8 mijë të prekur në 24 orë, maska kthehet e detyrueshme

Britania e Madhe ka hequr karantinën 14 ditore për dhjetëra vende, përfshirë Spanjën, Italinë, Francën dhe Gjermaninë. Kjo do të thotë se shtetasit e këtyre vendeve nuk do të izolohen për dy javë në momentin që do të hyjnë në territorin britanik, duke nisur nga 10 Korriku. Por vendet e tjera në Mbretërinë e Bashkuar, si Skocia, Wellsi, etj nuk kanë vendosur ende nëse do të zbusin rregullat e tyre.

Aktualisht Zelanda e Re ka ndaluar hyrjen e të gjithë udhëtarëve të huaj. Nga ana tjetër udhëtarët nga Anglia mund të përballen me kufizime në udhëtimet e tyre jashtë vendit. Greqia, një ndër vendet më të preferuara të anglezëve nuk do të pranojë fluturime të drejtpërdrejta nga Mbretëria e Bashkuar të paktën deri në mes të Korrikut.

Austri kërkon që britanikët të izolohen për 14 ditë përveç rasteve kur paraqesin një certifikatë mjekësore, ose rezultatin negativ të testit për Covid-19. Nuk ka informacione se çfarë do të ndodhë me vendet e Ballkanit, por lista e plotë pritet të publikohet më vonë. Sakaq britanikët kanë bërë plane të mëdha për fundjavën, pasi nesër, pas tre muaj mbyllje hapen baret, restorantet dhe një sërë shërbimesh të tjera. Hapja ka rregulla, me theks të veçantë tek distanca, limite në orare dhe kufizim në grumbullime.

Krejt e kundërta po ndodh në Shtetet e Bashkuara ndërkohë, ku situata rëndohet çdo ditë e më shumë. Guvernatori i Teksasit ka bërë të detyrueshëm përdorimin e maskës në publik, pasi në vetëm 24 orë vendi regjistroi mbi tetë mijë të prekur. Që prej shpërthimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara rekordin e shënuan dje, me mbi 53 raste të reja në vetëm një ditë.

Duket se po krijohet një situatë edhe në Austri, e cila deri tani ka pasur shifra relativisht të qëndrueshme. Por rastet e reja po rriten çdo ditë dhe ritmi ka ndryshuar me shpejtësi. Deri në mesin e javës ishin 470 të prekur aktivë, aktualisht janë 787. Në disa krahina janë karantinuar mbi 1 mijë e 500 persona teksa janë mbyllur edhe disa shkolla. Në nivel global, deri tani janë rreth 11 milionë të infektuar me Covid, teksa 520 mijë njerëz kanë humbur jetën.

Tv Klan