Seriali i famshëm Star Wars konsiderohej fantashkencë, por skenat e këtij filmi do t’i shohim brenda disa vitesh në jetën e përditshme. Si gjithmonë avancimi i shkencës nis nga ushtria.

Së fundmi është Ministria Britanike e Mbrojtjes që ka shpalosur planet për krijimin e armëve me laser.

Ministria e Mbrojtjes publikoi në faqen zyrtare në internet të qeverisë britanike, projektin me vlerë 35 milionë euro, që synon të nxisë institutet kërkimore të nisin studimet për prodhimin e armëve të tilla. Aktualisht është ideuar si arma “Dragonfire”.

Bëhet fjalë për një top me laser që qëllon objektivat me energji mjaft të lartë të përqendruar, në distanca mjaft të largëta.

Me të mund të pajisen luftanijet por edhe sistemet e mbrojtjes raketore. Plani është që armë të tilla të jenë gati deri në vitin 2025, ndërsa fondi për armatimin e ushtrisë arrin në mbi 200 miliardë euro.

Projekti u publikua të enjten, por projektet studimore për këtë armë kanë nisur më shumë se dy vite më parë në Shtetet e Bashkuara.

Firma si Boing e Lockheed Martin kanë prodhuar një variant eksperimentar të këtij topi me laser 10 kilovatësh që mund të godasë objektivat në një distancë prej pak kilometrash. Topat janë instaluar në luftanijen USS Ponce.

Po ashtu edhe firma gjermane Rainmetal po zhvillon një projekt të ngjashëm, të dronëve me laser.

Projekti është pjesë e nismës së ministrisë gjermane të mbrojtjes për prodhimin e armëve me laser që kap vlerën e 80 milionë eurove./tvklan.al