Policia britanike po përballet me një valë kriminelësh shqiptarë, duke vënë në pranga rreth 50 kriminelë çdo javë, në sajë të intensifikimit të luftës kundër bandave të lidhura me trafikun e drogës.

Në një shkrim të “DailyMail”, të dhënat e reja flasin për mijëra shqiptarë të ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar për vrasje, krime seksuale, trafik droge, pastrim parash, trafik njerëzish e kërcënime me vdekje.

Kjo, shkruan e përditshmja britanike, vjen pas paralajmërimeve nga Agjencia Kombëtare e Krimit se bandat e trafikantëve shqiptarë të drogës janë një kthyer në një kërcënim serioz në rrugët e Britanisë, me një rritje të nivelit të dhunës brutale kundër viktimave.

“Zyrtarë të policisë thanë se grupet e organizuara kriminale nga ish – vendi komunist tashmë kanë një influencë të madhe në shpërndarjen e kokainës në vend dhe janë të gatshëm që të shkaktojnë dhunë serioze për të mbrojtur tregun e tyre të jashtëligjshëm”.

Në total, vetëm vitin e shkuar policia arrestoi 2,781 shqiptarë të dyshuar për lidhje kriminale, 8 përqind e 2,578 të ndaluar në 2015 -ën.

Kjo sugjeron se 1 në 11 nga 32 mijë shqiptarët që jetojnë në Angli dhe Wells u ndaluan, ndonëse disa prej tyre mund të jenë ndaluar më shumë se një herë.

Por me mijëra shqiptarë, të cilët janë lejuar në Britaninë e Madhe dyshohet se kanë identitet kosovar, nën pretendimin e persekutimit gjatë konfliktit rajonal, 18 vite më parë.

Mashtruesit tashmë janë në krye të skandalit të drogës e prostitucionit në rrugët e Britanisë.

Jane Collins, anëtare e Parlamentit Europian dhe zëdhënëse për çështjet e jashtme të Partisë së Pavarur në Britani tha:

“Numri i shqiptarëve të arrestuar për krime të tjera, të cilët janë këtu në mënyrë ilegale, tregon se kufijtë tanë nuk janë të siguruar, ndonëse jemi një ishull”.

“Më krijohet ideja se kemi njerëz në qeveri dhe Home Office me një pikëpamje të shekullit të 16-të, sa i përket menaxhimit të kufijve, ndërkohë që bandat e trafikut po zhvillojnë strategji të reja çdo ditë, në mënyrë që të fusin kargot e tyre njerëzore ilegalisht në vend.”

“Jemi të penguar nga anëtarësimi ynë në BE, që limiton aftësinë për t’u marrë me emigrimin, por një pjesë e madhe e fajit duhet të merret përsipër nga politikanët e punonjësit civilë të cilët kanë keq menaxhuar dhe prerë fondet në mënyrë përsëritëse për politikat e sigurisë”.

Shifrat alarmante, shkruan “DailyMail”, u zbuluan nga përgjigjet e 37 nga 43 forca të policisë në Angli dhe Uells.

Në fund të Qershorit në burg ishin 649 shqiptarë, duke i bërë kështu grupin e tretë më të madh të të huajve.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Krimit zbuloi se kriminelët nga Ballkani po krijonin lidhje të drejtpërdrejta, gjithnjë e më të forta me trafikantët nga Amerika e Jugut.

Kërcënimi që vjen nga bandat kriminale shqiptare është domethënës. Londra është destinacioni i tij kryesor, por ata janë të vendosur kudo nëpër Mbretërinë e Bashkuar”,

thuhet në dokument.

Në kryeqytet janë arrestuar 1325 shqiptarë në total, mbi 14 përqind vit pas viti. Numri më i lartë ishte në West Midlands me 225, i ndjekur nga Sussex (140), Greater Manchester (107) dhe Kent (95).

Në një rast vitin e shkuar, një bandë prej 20 shqiptarësh me identitet italian e grek kishin krijuar një rrjet të shpërndarjes së drogës në Manchester, në objektivin e së cilëve ishin lokalet e natës. Ata jetonin nëpër apartamente luksoze.

Kriminelët shqiptarë të veshur me rroba të shtrenjta, kishin objektiv përdorues kokainë në disa prej ambienteve të natës më ekskluzive të Manchester.

Të njohur me emrin e thjeshtë “The Albanians” (Shqiptarët), ata operonin një rrjet të sofistikuar që kryhej nëpërmjet telefonit, duke kapur shifra deri në 250 mijë paund dhe jetonin nëpër apartamente me mobilime luksoze në qendër të qytetit.

Ata besohet se kanë punuar me disa prej bandave më të forta të Manchester, por ishin armatosur në rast të një konflikti të mundshëm.

Një prej kokave të kësaj bande, 33 – vjeçari Mevlan Gjeta, u dënua 8 vite pasi 1 kilogramë kokainë dhe 55 mijë paund u gjetën në apartamentin e tij./tvklan.al