Sondazhet nxjerrin ne krye konservatoret e Johnson

Britanikët votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme, që konsiderohen si referendum për BREXIT-in. Zgjedhjet u thirrën pas shpërbërjes së parlamentit më 6 nëntor me propozim të kryeministrit Boris Xhonson, i cili kërkoi që përmes këtij procesi, t’i jepej mundësia popullit të vendoste për marrëveshjen e re të arritur prej tij me Brukselin.

Sondazhet i japin shumicën konservatorëve të Xhonsonit, i cili mbështet kauzën e daljes nga Bashkimi Europian me apo pa marrëveshje. Ata pritet të marrin 45% të votave, 12% më shumë se laburistët në opozitë, të cilët  janë Pro një referendum të dytë që mund edhe të anulojë daljen nga BE.

Liderët e dy partive kryesore votuan që në orët e para pas hapjes së kutive, ku nuk bënë deklarata për mediat. Laburisti Korbin votoi me bashkëshorten në krah….

Referuar sondazheve që tregojnë se konservatorët mund të mos e arrijnë shumicën e mjaftueshme në parlament prej 325 deputetësh për formimin e qeverisë të vetëm, çka do ia pamundësonte Xhonsonit vazhdimin e projektit të tij për shkëputjen brenda 31 janarit nga BE. Analistët janë skeptikë se këto zgjedhje do t’i japin fund paqartësive për BREXIT-in.

“Ne do të vazhdojmë t’a kemi të pamundur të dimë nëse do të jemi brenda apo jashtë BE-së, por kjo paqartësi po ashtu nuk është zgjidhje”, tha John Curtice, profesor nga Universiteti “Strathclyde”.

“Disa nga studimet kanë treguar se zgjidhja e kësaj situate do të varet nga 40 mijë vota. Por imagjinoni një vend me 50 milionë votues, që të varet nga një diferencë kaq e ngushtë, pra jemi në fije të perit”, tha David Collins, profesor nga Universiteti i Londrës.

Kutitë e votimit u hapën në 7 të mëngjesit dhe pritët të mbyllen pas orës 22 me orën lokale.

Tv Klan