Prova në disa pub-e. Ekspertët optimistë: Nuk shohim rritje të rasteve

Grumbullime të tilla masive në diskoteka nuk ishin parë prej më shumë se një viti pandemi në Britaninë e Madhe por jo vetëm. Mijëra njerëz u mblodhën në një ambient të mbyllur në Liverpool, pa maska dhe pa asnjë kufizim tjetër, siç ndodhte përpara se niste përhapja masive e COVID-19.

Ky event nuk ka lidhje me lehtësimin e masave por me një test që ka vendosur të kryejë qeveria e Boris Johnsonit, përpara se të lejojë hapjen e plotë dhe të pakufizuar të bareve, restoranteve e diskotekave.

Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë nëse grumbullime të tilla masive si ato nëpër diskoteka mund të shndërrohen në  vatër infektimesh masive, duke u bërë shkak për një tjetër valë përhapjesh të infektimeve.

Testimi është kryer për disa ditë radhazi gjatë kësaj jave. Ekspertët duken optimistë. Nga testimet e deritanishme nuk ka shenja të rritjeje të infektimeve për shkak të këtyre eventeve.

Qeveria parashikon hapjen e plotë të ambienteve të argëtimit masiv pas 21 Qershorit. Britania është një ndër të parat vende në botë që ka vaksinuar me të paktën njërën nga dozat gjysmën e popullsisë.

Tv Klan