Protestat e dhunshme anti-raciste që marrin shkas nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd, tanimë kanë përfshirë të gjithë Britaninë e Madhe.

Në Bristol, manifestuesit rrëzuan statujën e Edward Colstonit, tregtar skllevërish me ngjyrë i shekullit të XVII. Pasi u rrëzua, një protestues pozoi me gjurin në qafën statujës, në mënyrë të ngjashme si u vra Floyd. Edward Colston akuzohet se gjatë shekullit të XVII kishte transportuar rreth 100 mijë skllevër nga Afrika në Amerikë dhe Karaibe.

Manifestuesit, pasi rrëzuan statujën e bronztë, e shkelmuan, tërhoqën zvarrë dhe më pas e hodhën në ujërat e portit të qytetit. Edhe pse autoritetet kanë paralajmëruar se koronavirusi mbetet një kërcënim dhe se masat e distancimit fizik duhet të zbatohen, protestuesit kanë mbushur rrugët duke shkaktuar kaos.

Të shumtë ishin manifestuesit që protestuan para ambasadës amerikane në Londër. Gjatë protestave të organizuara nga ‘Black Lives Matter’, edhe memoriali i ish-Kryeministrit Winston Churchill në Westminster u vandalizua kur disa protestues shkruajtën mbi statujë, “Ai ishte racist”. 10 ofiecerë policie përfunduan në spital pasi u goditën me sende të forta nga protestuesit.

Ndërkaq në SHBA protestat aktualisht janë paqësore. Presidenti Trump ka njoftuar se do të tërheqë Gardën Kombëtare tani që manifestimet janë më të qeta. Aktivistët si dhe qindra qytetarë kanë kërkuar që departamenti i policisë në Mineapolis të reformohet.

Shumë prej demonstruesve që kanë protestuar në të gjithë vendin kanë kërkuar që departamenteve të mëdha të policisë së qyteteve t’u shkurtohen fondet. Sipas tyre, shumica e parave që përdoren për departamentet e policisë mund të përdoren për qytetarët për t’iu siguruar atyre një jetë më të mirë.

Klan Plus