Ndërsa ra nata në provincën Hatay të Turqisë, vendasit të përlotur gërmojnë me ankth vendin e një ndërtese të shembur, duke u përpjekur të dëgjojnë ndonjë shenjë jete dhe zërat e të dashurve të tyre të bllokuar nën grumbuj mbeturinash dhe rrënojash. Ndërsa një burrë tregon një trup të pajetë të shtrirë në rrënojat, dëgjohen britmat e dëshpëruara të një gruaje nga poshtë ndërtesës së shkatërruar, duke goditur metalin për të tërhequr vëmendjen se ku ishte bllokuar.

Pak metra më tutje, një tjetër banor i Hatajit, Deniz, qan teksa tregon ndërtesën e shembur ku nëna dhe babai i tij ishin bllokuar poshtë, në pritje të punonjësve të urgjencës.

“I dëgjova. Ata po thërrasin duke kërkuar ndihmë. Ata kërkuan të shpëtoheshin. Nuk mund t’i shpëtojmë dot. Si mund t’i shpëtojmë? Askush nuk ka ardhur që nga mëngjesi.”

Një burrë që duhej të udhëtonte nga kryeqyteti Ankara, arriti të nxjerrë vetë një grua nga rrënojat.

“Kjo është një jetë njerëzore. Çfarë mund të bësh kur dëgjon një zë jete?”, tha ai.

Më shumë se 1200 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti vetëm në provincën Hatay, me të paktën 520 të vdekur në zonë, tha ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca. Dhjetëra njerëz janë ende të pagjetur. Provinca jugore Hatay e Turqisë ndodhet disa qindra metra larg kufirit sirian dhe strehon më shumë se 400,000 sirianë sipas numrave të publikuar nga Ministria e Brendshme turke.

Klan News