Ylli  i njohur i muzikës pop, Britney Spears, bëri të ditur lajmin se është fejuar me të dashurin e saj, Sam Asghari, tre muaj pasi i tha një gjykatësi në Los Angeles se kujdestaria ligjore ndaj saj e vendosur në vitin 2008, po ia vidhte të drejtën për të marrë vendime personale.

Ka qenë vetë Brandon Cohen, menaxheri i modelit dhe aktorit, Sam Asghari, që ka konfirmuar lajmin e fejesës së çiftit.

“Sam dhe Britney kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre disa vjeçare, dhe po ndihen tejet të prekur dhe të emocionuar me përkrahjen, dedikimin dhe dashurinë që kanë marrë nga publiku”, ka deklaruar Cohen në një prononcim për media.

Spears dhe Asghari kanë ndarë një video me ndjekësit e tyre në Instagram përmes së cilës kanë paralajmëruar fejesën, dhe me këtë rast 40-vjeçarja zbuloi edhe unazën e saj me diamant. Sipas Cohenit, unaza është dizajnuar nga argjendari i New York-ut, Roman Malayev.

Klan News