Sulmuesi kuqezi në ditën e dytë të stërvitjes me grupin, gati për t’u rikthyer në fushë

Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit Armando Broja i është bashkuar ekipit të parë të Çelsit.

Lojtari është në ditën e dytë të stërvitjes me blutë, ndërsa gjendja e tij duket e mirë, e gati për të qenë nën urdhrat e trajnerit Mauricio Poçetino për sfidën e radhës në Premier Ligë.

Por fjalën e fundit do ta ketë stafi mjekësor dhe ai teknik, ndërsa blutë do të luajnë të premten në “Stamford Brixh” kundër Luton Taun.

Broja ka kryer stërvitje të diferencuar për shkak të ndjekjes me rigorozitet të programit special stërvitor pas dëmtimit në gju në dhjetor. Në seancat e fundit, 21-vjeçari është parë mjaft entuziast për të rikapur formën optimale.

Gjendjen e tij po e ndjek me vëmendje edhe stafi kuqezi, ndërsa Broja do të ishte një vlerë e shtuar në kombëtare me dy takimet e radhës për kualifikueset e Euro 2024  ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë më 7 dhe 10 Shtator.

Në konferencën e fundit për shtyp, trajneri Poçetino tha se klubi e ka në planet e tij sulmuesin kuqezi dhe atij do t’i lihet koha e nevojshme që të rekuperohet plotësisht.

Çelsi shikon potencial te Broja dhe skuadra do të përshtatet deri sa ai të jetë gati.

Interes për 21-vjeçarin ka shfaqur Milani, Roma dhe Uest Hemi.

Klan News