Negociatat me italianët kanë nisur

Armando Broja është një nga lojtarët kuqezinj që ka ngjallur më shumë interes në këtë merkato verore. Vetëm 19 vjeç, ai ka pak që ka firmosur një kontratë pesë vjeçare me kampionët e Evropës, Çelsin. Por, ende nuk është përcaktuar nëse do të rrijë me ekipin e parë, apo jo!

Sulmuesi shqiptar Armando Broja është gati që të largohet nga Çelsi në huazim dhe të transferohet në Serinë A.

Interesim për shërbimet e futbollistit kuqezi ka skuadra e Udinezes. Mediat në Itali raportojnë se mes të dyja klubeve kanë nisur bisedimet për huazimin e 19 vjeçarit deri në qershorin e vitit 2022.

Pas rikthimit të tij nga Vitesse, ku shënoi 11 gola në 34 takime, “blutë” e Londrës i ofruan rinovimin Brojës dhe ai firmos një kontratë të re deri në qershor të vitit 2026.

Edhe pse te Çelsi trajneri Tomas Tuhel ka në plan që t’i ofrojë hapësirë, transferimi te friulanët do ta ndihmojë futbollistin që të sigurojë më shumë eksperiencë.  Drejtuesit londinezë po e peshojnë propozimin, pasi tekniku gjerman është në kërkim të një bomberi, por deri më tani nuk ia ka dalë që të bëjë goditjen e duhur në merkato.

Në këtë merkato vere u largua sulmuesi Oliver Zhirud te Milani, ndërsa Temi Abraham ka ngjallur interesimi e disa klubeve në Permier Ligë. Për këtë arsye, Tuhel nuk do që të nxitohet. Por e ardhmja e Brojës nuk do të vonojë shumë që të vendoset.

Klan News