Trofeu për të rinjtë më të mirë në Europë

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, zhvilloi një sezon fantastik me Vitessen në Holandë, duke u bërë protagonist me 11 golat e realizuar me fanellën e verdhezinjve.

Mundi shpërblehet dhe për këtë Broja është në listën e pretendentëve kryesorë për të fituar çmimin ‘’Golden Boy’’ për sezonin që lamë pas.

Ky është një çmim që zgjidhet nga vota e disa prej gazetave më të mëdha të sportit në Europë dhe është i barabartë me Topin e Artë, por në nivelin e të rinjve. 19-vjeçari shqiptar gjendet përkrah talenteve të mëdhenj, si Bellingam, Pedri, Grinvud e Kamavinga.

Ndërkohë është folur për një rikthim të Brojës te Chelsea, pasi blutë e Londrës zotërojnë kartonin e sulmuesit, teksa shihet si lojtar me perspektivë nga trajneri Tomas Tuchel.

Megjithatë, ende nuk është vendosur. Pak kohë më parë vetë sulmuesi deklaroi se do t’i pëlqente të rikthehej në Londër, por kjo varet nga marrëveshja mes klubeve.

Nëse do të duhej të huazohej sërish, Broja parapëlqen të qëndrojë te Vitesse, një ekip me të cilin është përshtatur mirë dhe mund të japë akoma më shumë në sezonin e ri.

Tv Klan