Ndeshja me Kroacinë do të kishte qenë pika e kthesës në Europian, nëse Shqipëria do të kishte fituar. Ky është mendimi i sulmuesit të Kombëtares, Armando Broja, i cili ishte ftuar në emisionin “Kampionët” në TV Klan.

“Kemi patur më shumë shanse për të shënuar më shumë gola. Kur doli rezultati 2 – 2 ishte bukur, po të kishim pas 3 pikë, ndoshta ndeshja kundër Spanjës do të kishte qenë ndryshe. Po të kishte dalë barazim ndoshta do të kishim dalë nga grupi.”

Ndaj Spanjës, Broja pati disa raste edhe pse luajti si zëvendësues, por pa mundur të shënojë. Ai foli edhe për marrëdhënien me Sylvinho.

“Gjithmonë kemi qenë mirë. Edhe kur isha i dëmtuar erdhi në Angli. Trajneri ka bërë diçka të madhe që ka dërguar Shqipërinë në Europian, që e kemi arritur vetëm 2 herë në histori. Ka grupin të gjithë bashkë dhe duket edhe nga jashtë.”

Armando Broja pranoi se ka oferta nga ekipe të Premier League, Bundesliga dhe Serie A. Broja së shpejti pritet të marrë një vendim për të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë te Chelsea apo do të vijojë një aventurë të re.

Tv Klan