Vitesse është në ndjekje të Ajax-it kryesues

Vitesse po mban ritmin e Ajax kryesues në Eredivisie. Suksesi i radhës u regjistrua me rezultatin 2 – 0 ndaj Fortuna Sittard.

Një triumf jo i lehtë ku la shenjë edhe sulmuesi shqiptar Armando Broja. 19-vjeçari i dha më siguri Vitesse në minutën e 83’ duke shfrytëzuar një krosim brenda në zonë. Broja realizoi kështu për herë të pestë në këtë sezon të kampionatit holandez.

Për ekipin e tij Vitesse është një ecuri e jashtëzakonshme me 25 pikë të grumbulluara në 10 javët e para, një rekord në historinë e klubit.

Skuadra nga Arnhemi renditet në vendin e dytë, duke lënë pas PSV. Vitesse nuk e ka fituar ndonjëherë titullin në Eredivisie.

Tv Klan