Sipas një studimi të bërë së fundmi, kura për trajtimin e skizofrenisë mund të gjendet te brokoli. Shkencëtarët zbuluan se brokoli përmban elemente që rivendos barazinë e kimikateve në tru. Këto të fundit janë përgjegjëse për dërgimin e mesazheve ndërmjet qelizave të trurit, të cilat janë të lidhura me skizofreninë.

Sipas studiuesve, ky zbulim i ri mund t’i hapë rrugën trajtimeve të reja në të ardhmen, duke shmangur përdorimin e ilaçeve të forta, të cilat kanë edhe dëme anësore. Barnat aktuale që përdoren për kurimin e skizofrenisë u shkaktojnë pacientëve lëvizje të pavullnetshme dhe nervozizëm. Megjithatë, studimi nuk ka mundur të provojë se përmbajtja e brokolit lufton simptomat, por vetëm sa luan një rol në rivendosjen e balancës së kimikateve.

Studimi është realizuar nga spitali Johns Hopkins në Baltimore të Shteteve të Bashkuara. Në këtë studim morën pjesë 81 pacientë që vuajnë nga skizofrenia dhe i krahasuan me 91 persona të tjerë që nuk ishin të prekur nga kjo sëmundje. Pjesëmarrësit në studim kishin një moshë mesatarisht 22 vjeç dhe 58% e tyre ishin meshkuj. Pavarësisht gjetjeve pozitive, shkencëtarët thonë se ka ende nevojë për eksperimente dhe studime të mëtejshme.

/tvklan.al