Ragusa, Itali

Autoritetet italiane kanë përfunduar autopsinë mbi trupin e 37-vjeçares shqiptare Brunilda Halla, e cila u vra me thikë nga një 28-vjeçar nga Vittoria, tashmë në burg. Rezultatet e autopsisë pritet të bëhen publike pas 60 ditësh. Ndërkohë, trupi i gruas i është dorëzuar familjarëve të saj, që sipas mediave italiane do ta varrosin në Shqipëri.

Ndërkohë, në dritë ka dalë se 28-vjeçari i cili e vrau shqiptaren duke e goditur 6 herë me thikë, planifikonte prej disa kohësh të vetëvritej. Kjo u zbulua nga një letër që prindërit e autorit gjetën mes sendeve të tij. Bruna, nënë e dy fëmijëve, një vajze 16 vjeçe dhe një djali 14 vjeç, u vra nga 28-vjeçari pa shkak. Ai e goditi atë me thikë ndërkohë që gruaja po mbyllte portën e ndërtesës ku jetonte. E sulmoi nga pas vetëm sepse ajo ishte e para që pa në zonë duke i marrë nënës së dy fëmijëve jetën.

Ajo nuk e vuri re vrasësin, deri në momentin që ai ndodhej pas shpatullave të saj. Bruna vdiq përpara se të mbërrinte ambulanca.

28-vjeçari më pas u arratis, duke fshehur rrugës thikën dhe bluzën e gjakosur. Ai u arrestua pak orë më pas në shtëpinë e tij, pasi autoritetet morën dëshmitë në vendngjarje dhe panë kamerat e sigurisë që kishin filmuar gjithçka.

Fillimisht e mohoi krimin, më pas pranoi gjithçka, përfshirë faktin se viktimën e kishte zgjedhur rastësisht, pa e njohur dhe pa pasur asnjëlloj konflikti me të. Mediat italiane shkruajnë se në dëshminë e tij, 28-vjeçari të cilit nuk i është bërë publik emri, mësohet të ketë thënë se dëgjon zëra… Mbrojtja po i mëshon problemeve të shëndetit mendor, ndërsa prokuroria e kishte klasifikuar të riun si “subjekt problematik” dhe ai i ishte nënshtruar një trajtimi kur ishte vetëm 22 vjeç.

“Megjithatë, i riu ishte aq i kthjellët sa të blinte një thikë në internet, me gjasë me qëllimin për ta përdorur për t’i bërë keq dikujt, siç edhe ndodhi”, shkruajnë mediat fqinje, duke shtuar se edhe pas vrasjes, ai ruajti gjakftohtësinë e madje fshehu edhe armën e bluzën, çdo gjë që e lidhte me vrasjen që e kreu në mes të rrugës./tvklan.al