Në një intervistë për agjencinë e lajmeve italiane ANSA, komisioneri europian për çështjet e brendshme dhe emigracionin, Magnus Brunner, është pyetur lidhur me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

“Italia është një partner shumë i rëndësishëm për ne në çështjen e emigrimit. Unë mendoj se Italia po përpiqet të gjejë mënyra të reja për të siguruar që të ulet fluksi i emigrantëve të paligjshëm dhe është shumë pozitive  që kemi qasje të reja”.

Marrëveshja deri më tani është penguar nga gjykatat pasi ndalimi i tre grupeve të para të emigrantëve  në Shqipëri u anulua në pritje të një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që pritet javën e ardhshme, për vendet e sigurta të origjinës.

Qeveria e djathtë e Kryeministres Giorgia Meloni ka thënë se do të gjejë një mënyrë për të kapërcyer pengesën e fundit ligjore.

Pavarësisht gjithçkaje, marrëveshja po shihet si një model nga disa vende evropiane që dëshirojnë të ngrenë qendra për përpunimin jashtë kufijve të Bashkimit Europian, të kërkesave të azilkërkuesve.

Klan News