Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i kreditimit për blerje dhe zhvillim banesash.

Kjo është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të çmimeve të banesave, të cilat sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë në gjashtë mujorin e dytë të vitit që lamë pas u rritën me 44.5 përqind krahasuar me vitin 2023.

“Cilësia e kredisë është përmirësuar gjatë periudhës. Ajo ka rënë në nivelin 4.2% që është më i ulëti në 15 vitet e fundit. Ndërkohë edhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të tregut, kryesisht kursit të këmbimit dhe numrave të interesit është i vetëkontrolluar”, tha Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë bën të ditur se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare mbartin rreziqe për ekonominë shqiptare.

“Mbetet për t’u parë se cili do të jetë rezultati i këtij zhvillimi që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare. Në rast se shoqërohet me rritje të pasigurisë ka shumë mundësi që të ketë rritje të normave të interesit, rritje të presioneve inflacioniste dhe kjo të ndikojë në terma të konsumeve dhe investimeve në tërësi”, tha Shehu.

Për të mbrojtur stabilitetin financiar të vendit Banka e Shqipërisë njofton se ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë një shtesë kundërciklike kapitali prej 0.5%, për të frenuar mbirritjen e kreditimit në sektorët më të ekspozuar ndaj rreziqeve.

Tv Klan