“Ndërsa kreditë shënuan rritje me 21.2% krahasuar me vitin 2022”
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat e përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë në fund të muajit Shtator të këtij viti kapën vlerën e 1.28 miliardë Lekëve, në rënie me 4.5 miliardë Lekë krahasuar me muajin Gusht. Ndërsa me bazë vjetore, depozitat e përfshira në paranë e gjerë shënuan një rritje të lehtë afërsisht prej 1%.
Rritja e dobët e depozitave bankare gjatë gjithë këtij viti është rezultat i disa faktorëve. Inflacioni i lartë i dy viteve të fundit vlerësohet se i ka ulur aftësitë e familjeve shqiptare për të kursyer, por dhe politika fiskale shtrënguese, me mbajtjen e një sufiçiti buxhetor në nivele të larta, ka tërhequr sasi të mëdha paraje nga tregu, duke ndikuar edhe në depozitat bankare.
Ndërsa depozitat në valutë për Shtatorin pësuan një rënie me afërsisht 7 miliardë Lekë, duke zbritur në nivelin e 736.8 miliardë Lekëve sipas Bankës së Shqipërisë.
Një faktor tjetër po aq i rëndësishëm në ecurinë e depozitave këtë vit ishte edhe kursi i këmbimit, pasi forcimi i ndjeshëm i Lekut ndaj Euros ka ulur vlerën statistikore të depozitave në monedhën europiane. Duke pasur parasysh se rritja e depozitave këtë vit ka ardhur kryesisht në monedhën europiane, efekti i kursit të këmbimit në frenimin e rritjes së depozitave vlerësohet të jetë i konsiderueshëm.
Ndërsa referuar kredive, sipas statistikave të Bankës së Shqipërise kredia për ekonominë u rrit për të dytin muaj radhazi në Shtator. Kredia e re rezultoi në vlerën e 24.8 miliardë Lekëve, në rritje me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për 9-mujorin e vitit 2023 sektori bankar ka dhënë gjithsej 216 miliardë Lekë kredi për ekonominë, në rritje me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të 2022.
Klan News