Vendimi merret nga Këshilli Mbikëqyrës të mërkurën

Në kushtet e situatës ekonomike të krijuar pas mbylljes së një pjese të mirë të aktiviteteve ekonomike të vendit, si pjesë e masave kundër përhapjes së virusit Covid-19, Banka e Shqipërisë është duke diskutuar mundësinë e uljes të normës bazë të interesit të Lekut.

Burime konfidenciale për Televizionin Klan bëjnë me dije se një nga pikat që do të diskutohen në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, ditën e mërkurë më 25 Mars, është ulja e normës së interesit me 0.25%.

Aktualisht interesi i Lekut është 1% dhe një ulje e mëtejshme e saj do të zbriste në një rekord të ri historik prej 0.75%.

Ulja e interesit të Lekut i vjen në ndihmë stimulit ekonomik të vendit duke lehtësuar interesat e dhënies së kredisë dhe shtimit të konsumit në vend, ndërsa jep efekt edhe në uljen e interesit të depozitave të reja.

Hera e fundit që Banka Qendrore uli interesin bazë të Lekut ishte Qershori i vitit 2018, kohë kur monedha kombëtare pati një forcim jo-normal ndaj Euros.

Burimet thonë se nëse në të ardhmen do të ketë nevojë për shtim të stimulit monetar, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ulë normën bazë.

Vetë guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, ka deklaruar publikisht në disa dalje, se pas goditjes së vendit nga tërmeti, nëse ekonomia do të pësojë goditje të tjera, atëherë politika monetare do të vazhdojë trendin lehtësues.

Më shumë se 50 vende në të gjithë botën kanë ulur normat e interesit javët e fundit, si masë për të lehtësuar kredidhënien në kushtet e tkurrjes së ekonomisë nga pandemia e Covid-19.