Banka e Shqipërisë do të avancojë me ndërhyrjen në tregun e këmbimit valutor. Vazhdimin e blerjes të monedhës Euro në tregun e brendshëm, e ka njoftuar menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Gent Sejko.

“Vazhdojmë programin e ndërhyrjes në treg, për sa kohë që kursi do të jetë kërcënim për nivelin e inflacionit.”

Guvernatori nuk dha shifra se sa Euro do të blihen në treg, apo sa është blerë deri tani, por në gjykimin e Bankës Qendrore, ndërhyrjet përmes operacioneve monetare kanë stabilizuar kursin dhe kanë ulur vlerën e rritur artificialisht të Lekut, pavarësisht luhatjeve që ka përjetuar kursi edhe gjatë kësaj periudhe.

“Ndërhyrja ka patur efekte pozitive. Ka frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut dhe në të ardhmen presim stabilizim të tij.”

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik ka patur një rritje pozitive, të mbështetur nga investimet e biznesit dhe rritja e punësimit, por dhe lehtësimi i kredisë nga ulja e normës bazë të interesit. Deri në 3 mujorin e dytë të 2019-s, Këshilli i Bankës nuk do të marrë asnjë vendim për rritjen e normës bazë të interesit, e cila sot është në nivelet më të ulëta historike prej 1%.

Tv Klan