Banka Qëndrore nuk ka në plan të lehtësojë më tej normën e interesit për Lekun

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare është treguar rezistente ndaj krizës që shkaktoi pandemia e Covid-19, edhe pse në analizën e saj rreziqet mbeten ende të pranishme.

Në bazë të ecurisë së deritanishme, banka qëndrore projekton se ekonomia do të rritet këtë vit me 4.9%, e nxitur nga sektori i turizimit dhe kthimit drejt normalitetit në bazë të ecurisë së vaksinimit.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori Gent Sejko la disa porosi për autoritetet.

“Prioriteti i politikave duhet të zhvendoset drejt shëndoshjes së balancave ekonomike, e në veçanti drejt reduktimit të borxhit publik dhe krijimit të hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të tjera në të ardhmen”.

Kreu i bankës qëndrore tha se në vlerësimet e deritanishme norma bazë e interesit të Lekut pritet të mbetet 0.5%. Ai sqaroi se nuk ka hapësira të mëdha për uljen e mëtejshme të saj, çka bën që në një periudhë afatmesme tregu i interesave të kredive dhe depozitave në Lekë të mos ndryshojë.

“Ka shumë pak hapësirë për ulje të mëtejshme, kjo hapësirë nuk do kishte efekt të madh, nuk kemi parametra ekonomikë që të na bëjnë ta ulim më tej”.

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë informaliteti është një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare i cili duhet të luftohet përmes një koordinimi të autoriteteve përgjegjëse.

“Ka një vlerësim për nivel të lartë. Duhet punë e koordinuar mes autoriteteve për të luftuar këtë fenomen”.

Lidhur me tregun e kriptomonedhave apo Bitcoin, Guvernatori tha se zyrtarisht nuk ka asnjë biznes të licencuar në këtë fushë, ndërsa kërkoi vëmendje mbi rrezikun që mbartin këto investime sidomos në fushën e pastrimit të parave të pista.

Tv Klan