Investimet në ulje, kredia në sektorin privat më shumë për likuiditet

Banka e Shqipërisë vlerëson se në pjesën e dytë të vitit rritja ekonomike do të mbetet në të njëjtat nivele me dy tremujorët e parë, afër vlerës 2.4%.

Shkak për këtë banka qendrore rendit në Raportin e Politikës Monetare rënien e investimeve të sektorit privat, ndërsa edhe kontributi me punë publike nga ana e qeverisë ka qenë në ulje përgjatë këtij viti.

 “Investimet rezultuan me kontribut negativ. Ndikime negative më të forta dhanë edhe eksportet neto. Informacionet nga tregues të tërthortë sinjalizojnë se rritja ekonomike e tremujorit të tretë pritet të jetë në vlera të përafërta me atë të tremujorit të kaluar”.

Megjithatë Banka e Shqipërisë vlerëson se ngadalësimi i ekonomisë është i përkohëshëm pasi lidhet me faktorë sezonalë, siç është rënia e prodhimit të energjisë apo përfundimi i disa veprave madhore në infrastrukturë. Mbështetjen për të në të ardhmen do ta japë kredia për sektorin privat, e cila është rritur me 7.5%, por shumica ka qenë për plotësim të nevojave për likuiditet.

“Zhvillimet pozitive në segmentin e kredisë për biznese u mbështetën nga ritme më të larta të rritjes së kredisë për likuiditete, në mesatarisht 11.2%, ndërsa ato për investime shfaqën lehtas një ngadalësim, në 5.5%”.

Vlerësimin me ulje për rritjen ekonomike të vendit e ka korrigjuar edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa realizimi i investimeve publike në ekonominë e vendit përgjatë këtij viti ka qenë i ulët, duke shtyrë në kohë përfundimin e disa veprave kryesore në infrastrukturë.

Tv Klan