“Periudha Mars-Prill ka shënuar rënie të paprecedentë”

Banka e Shqipërisë e vlerëson ndikimin e pandemisë së Covid-19 në ekonominë vendase si të pashembullt, ndërsa ka shtyrë projeksionin për rikuperimin e saj deri në vitin 2022.

Në raportin e Politikës Monetare, banka qendrore vlerëson se përgjatë gjithë vitit Shqipëria do të zhytet në recesion, ndërsa periudha me rënien më të madhe pritet të jetë ajo e tremujorit të dytë, ku treguesit e ecurisë ekonomike kanë shënuar rënie të paprecedentë.

Përditësimi i parashikimeve sugjeron një tkurrje më të fortë të aktivitetit ekonomik në vitin 2020 dhe një rikuperim gradual në vitet 2021 e 2022.

Rritja e kredisë së re në këtë periudhë është dominuar nga paketat e qeverisë përmes skemave të garancive sovrane, ndërsa vetë bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit për bizneset dhe individët, duke kërkuar kolaterale më të mëdha e duke zvogëluar shumën e kredisë.

Më e theksuar kjo dukuri është vënë re në kredinë për banesa për individët, ku bankat kanë rritur perceptimin e riskut ndaj tregut të pasurive të patundshme.

Elementet jo çmim, nëpërmjet të cilave u shtrënguan kushtet e termat e kreditimit, ishin madhësia më e ulët e kredisë për individët, si edhe reduktimi i maturitetit maksimal të saj.”

Pavarësisht situatës së pandemisë normat e interesave të kredisë kanë qënë në rënie, të diktuara nga marrëveshjet e qeverisë me bankat për financimin e bizneseve me paketat e garancisë dhe nga ulja me 0.5% në fund të Marsit të normës së interesit nga Banka e Shqipërisë.

Banka qendrore do të vazhdojë të mbajë një politikë të lehtësuar monetare dhe do të ulë më tej interesin nëse do të rikthehen masat shtrënguese të lëvizjes për shkak të rritjes së epidemisë.

Tv Klan