“Vlera e tyre në 198 mln Euro, rritja me bazë vjetore në 49%”
Fasoneria shënoi për të dytin tremujor radhazi rritje të ardhurash që kapën vlerën e 198 milionë Eurove, përkatësisht gjatë muajve Korrik, Gusht dhe Shtator. Referuar këtyre shifrave nga Banka e Shqipërisë në bazë vjetore të ardhurat nga këto shërbime janë rritur me 49%.
Siç shihet nga statistikat e Bankës Qendrore, të ardhurat neto nga ky sektor arritën në 592 milionë Euro, me rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Fasoneria rezulton të jetë një nga kontribuesit kryesorë në ecurinë pozitive të llogarisë së shërbimeve në Bilancin e Pagesave dhe referuar kësaj për 9-mujorin e 2023, turizmi kontribuoi me pothuajse 55% të vlerës së përgjithshme të suficitit të shërbimeve, ndjekur nga fasoneria me 22%.
Fasoneria ka qenë e përqendruar historikisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit, por në vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë sektori i industrisë automotive, që lidhet me prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjetet apo produkte të ngjashme industriale.
Megjithatë nga ana tjetër duhet thënë se rritja e të ardhurave, e shprehur në Lekë, është gërryer nga efekti i kursit të këmbimit. Referuar dobësimit të Euros prej disa muajsh përfaqësues të kompanive fasone të tekstileve dhe këpucëve, ripërsëritën kërkesën për marrjen e masave nga institucionet, pasi kjo i ka vënë në vështirësi financiare.
Klan News