BSH forcon masat për pastrimin e parave

BSH forcon masat për pastrimin e parave

15:46 05/07/2019

Banka e Shqipërisë do të forcojë monitorimin e aksionerëve të bankave dhe institucioneve financiare që operojnë në tregun vendas, me qëllim shtimin e rregullave për parandalimin e pastrimit të parave.

Një kërkesë e tillë është bërë në fund të vitit 2018 nga vetë Komiteti të Ekspertëve Kundër Pastrimit të Parave, Moneyval, i cili ka kërkuar monitorim deri në zinxhirin e fundit të aksionerëve apo ekspozimit të bizneseve që ata kanë, në momentin që janë njëkohësisht edhe ortakë të një banke.

Ndryshimet në rregulloren për “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, vendosin rregulla të forta edhe në licencimin e aksionerëve të rinj në sistemin bankar.

“Sistemi i administrimit të rrezikut përfshin procesin e identifikimit, të matjes, të monitorimit, të kontrollit dhe të raportimit, të të gjitha rreziqeve brenda një subjekti, në të gjithë aktivitetin e tij (për të gjithë bilancin, portofolin dhe linjat e biznesit).”

Rregullorja e re detyron po ashtu që vetë bankat duhet të ngrenë një strukturë të posaçme brenda tyre për të bërë kontrollin e riskut.

“Subjektet krijojnë njësinë e kontrollit të brendshëm, si pjesë të sistemit të kontrollit të brendshëm. Njësia e kontrollit të brendshëm është njësi organizative e veçantë e subjektit, e pavarur nga veprimtaritë, strukturat dhe personat që ajo shqyrton ose kontrollon, e cila raporton në organet drejtuese të subjektit.”

Në bazë të monitorimit të bërë në vitin 2018 nga Banka e Shqipërisë, rezultoi se 6 banka paraqisnin risk të lartë të ekspozimit ndaj pastrimit të parave, ndërsa në 2017-n ky numër ishte 4.

Tv Klan





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi