“Duhet kufi i sipërm për PPP-të në raport me prodhimin kombëtar”

Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të shohë me kujdes shpenzimet e saj në raport me borxhin që merr, duke mos krijuar deficite korrente, ku niveli i huamarrjes është më i lartë se investimet publike.

Gjatë dhënies së opinionit për projektligjin e buxhetit 2021 në Komisionin e Ekonomisë, zv/Guvernatorja Luljeta Minxhozi, rekomandoi që ligji organik i buxhetit të vendosë një kufi tavan për vlerën totale të angazhimeve në projekte PPP në raport me prodhimin kombëtar.

“Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit. Gjejmë me vend të theksojmë që projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike”, tha ajo.

E pyetur nga deputetët nëse ka mundësi për zgjatjen e moratoriumit të shtyrjes së kredive për bizneset dhe individët, zv/Guverantorja tha se në kushtet e sotme duhet të shihet edhe stabiliteti i sistemit bankar, ndërsa pritet që në këtë periudhë të ketë rritje të kredive me probleme.

“Duhet parë edhe stabiliteti i sistemit bankar, kreditë e këqija do të rriten, ne nuk e kemi një shifër se sa do të jenë, por tendenca në këtë kohë është për një rritje të tyre. Nëse se do të ketë një mbyllje të dytë, banka qendrore do të marrë masa të tjera lehtësuese për mbështetjen e ekonomisë.”

Banka e Shqipërisë mbështet politikat ekonomike të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm për rritjen e investimeve publike duke nxitur punësimin dhe uljen e taksave për bizneset e prekura nga pandemia.

Tv Klan