Standardet e kreditimit për bizneset mbetën thuajse të pandryshuara në 3 mujorin e parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ato u raportuan të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh, në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. Ndërsa në kreditë për biznesin e vogël dhe të mesëm standardet u lehtësuan.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, në 3 mujorin e dytë të vitit 2025, standardet e kreditimit pritet të lehtësohen në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, në kreditë për financimin e investimeve, si dhe në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh.

Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve u raportuan të pandryshuara në 3 mujorin e parë të vitit. Bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, si dhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset nënvizohet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, faktorët që ndikuan në rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin historiku nga regjistri i kredisë, të ardhurat e disponueshme dhe pasqyrat financiare të bizneseve. Faktorët e tjerë patën ndryshime minimale. Ndikim për kërkesën e lartë për kredi gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, sipas institucioneve financiare, patën edhe lehtësirat e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Klan News