“Nëse kërkesa bie me 10%, do të kemi 100 mijë të papunë”

Zgjatja e pandemisë së Covid-19 dhe ndikimi i saj në uljen e konsumit të popullatës përbën një rrezik potencial për rritjen e papunësisë në normën më të lartë të 10 viteve të fundit.

Në një studim të Bankës së Shqipërisë, mbi skenarët e mundshëm të goditjeve të krizës së pandemisë, nëse kërkesa e brendshme do të reduktohet me 10%, shkalla e papunësisë do të shkonte 18.6%, duke rritur numrin e të papunëve me mbi 100 mijë persona.

Aktualisht norma e papunësisë në Shqipëri është 11.2 %, ndër më të ulëtat në dekadën e fundit, por sipas të dhënave zyrtare, në dy muajt e pandemisë numri i të papunëve që kanë dalë skema e sigurimeve shoqërore ka arritur në 61 mijë individë.

“Rënia e prodhimit pritet të shoqërohet me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset.”

Sipas studimit të bankës qendrore, sektorët që do të gjenerojnë më shumë humbje janë bujqësia, industria përpunuese dhe pasuritë e paluajtshme.

Pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë thotë se tkurrja e aktivitetit ekonomik dhe punësimit do të jetë graduale dhe se ekonomia do të nisë të përmirësohet në afatin e shkurtër pas përfundimit të gjendjes së pandemisë.

Tv Klan